Poezi nga Salajdin Salihu
DHOMA E POETIT
Mund të ketë një tavolinë pune ku shkruan poezi
Sirtarë me libra që kurrë s'i ka lexuar
Një filxhan me kafe të idhtë si dita
Një shpuzore plot cigare të djegura nga zhgënjimi
Fletë të shkaravitura ëndrra të zbehura
Krrokama që përplasen në qelq mendimi
Mund të ketë ditë të lodhura nga vetmia
Të mbështjella me tis kotësie
Shekuj të djegur nga utopia
Ëndrra të ngrira pamje që s'i zbeh harrimi
Mund të ketë peisazh vjeshte dhe gjethe të vdekura
Lumenj shprese dritë terr ferr e tmerr
Mefistofel Hamlet Jago kolonel
Santjago derr të vuajtur dhe Sokrat - derr
Mund të ketë meteorë mendimesh që digjen
dhe shuhen befas në univers qenësie
Diku në zonat e errëta të njeriut
Nocionet lart poshtë djathtas majtas
Mund të humbin kuptimin
Koha mbrapsht të rrjedh në klepsidër jete
Mundet që aty të mos jetë fare poeti...
Të ketë shkuar larg
Me shpresën e kthimit në sy
Dhe mund të kthehet sërish në atë dhomë
E ta gjejë trupin e vet - kufomë
Gjithçka mund të ndodhë në atë dhomë...
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


