Poezi nga Salajdin Salihu
TASH EDHE TI DO TË IKËSH
Autocisternat lajnë faqet e betonta
Të puthura nga hapat e rëndë të ditës
Ti bëhesh gati për të ikur
Rregullon grimin flokët ritmin e zemrës
Në shtëpi duhet të kthehesh e qeshur
Askush asgjë s'duhet të dijë
Për historinë e shkruar
Në karriket e parkut të qytetit
Tash ti duhet të ikësh
E mbështjellë me çarçafin e kësaj nate
Të grisur nga dënesjet
Me dashurinë e fshehur në çantën e shpirtit
Si armë e palejuar zjarri
Fshehur nga organet kompetente
Tash ti u bëre gati për të ikur
E ndjej
Thellë si frymon mungesa
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


