Poezi nga Salajdin Salihu
FALMË KËTË NATË
Një natë për ty mbase s'do të thotë asgjë
Një natë me ty vlen sa një jetë
Falmë një natë dhe ik pastaj po deshe
Dhe ik pastaj po munde
Nga kthesat e kujtesës
Ku ruaj gjërat më të shtrenjta
Që jeta krejt rastësisht m'i fali
E dashur mos u mbyll në vetvete
Hapi të gjitha dyert e zemrës sate
Të hyjnë befasitë e pakta
Që s'kanë kohë të presin rend t'i legjitimosh
Vetëm një çast është jeta
Një natë një klithje
Një pikë djerse që derdhet
Mbi trupat tanë të shtrirë në ekstazë
E dashur falmë këtë natë
Krijoje edhe një befasi
Në këtë vend ku ndodh asgjëja
* * *
U shuan dritat nisi loja
ti hyre qetë në jetën time
e heshtur e pushtuar si Troja
* * *
Në pemë lëvaret vjeshta
Po zverdhen ëndrrat
Vishken buzëqeshjet
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


