Poezi nga Salajdin Salihu
NË BANESËN ME QIRA FUTËM DASHURINË
Në qytetin me shumë ura morrëm banesë me qira
Fshehtas e futëm dashurinë lakuriqësuam ndjenjat
Dritat e moralit i fikëm
Mollën e mëkatit e kafshuam
Gjarpërinjve ua zhveshëm lëkurën e mashtrimit
Çarçafët e turpit i përlyem me dënesje
Gjurmë pakujdesie nga një luftë e heshtur
Dashurinë shfletuam
Si libër të rrezikshëm disidenti
Të nesërmen u zgjuam herët
Në sytë tanë i lodhur ish qyteti
Saherë tani kalojmë nga ajo shtëpi
Asnjë fjalë nuk themi vetëm shikohemi
Puthemi pushtohemi
Aty banon një plak dhe një plakë
Dhe dy hije të mbetura nga një natë e nxehtë vere...
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


