Poezi nga Salajdin Salihu
S'MUND TË SHKRUAJ LETRA DASHURIE
Larg jemi sa larg
Një kohë në mes na ndan
Vijat e fytyrës sate s'i qartësoj në kujtesë
Njerëzit që i duam s'i përfytyrojmë dot
Bëj të të shkruaj letër dashurie
Po fjalët mikluese më mungojnë
Bën ftohtë e dashur
Të veshura fjalët trashë me petkun e ashpër
Si dimri që futet pabesisht nën palltë
Të ndjej çmendurisht të ndjej
Fjala "të ndjej" nuk më mjafton
Sa borxh u kam ngelur fjalëve plaka e të harruara
Andaj kur më duhen nuk i gjej tu ngjes flatra
Te ti t'i nis
E dashur s'di
Ka kohë që nuk mund të shkruaj letra dashurie
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


