Poezi nga Salajdin Salihu
CASUS BELI
Një shikim një buzëqeshje një prekje
Është casus beli për një luftë të tmerrshme
Ku shtohet njerëzimi
Luftë e bërë nga dashuria
Nuk derdhet asnjë lot fëmije
Nuk lëndohet asnjë zemër nëne
Luftë
Mjerë ai që s'e ka provuar
Këtë robërim madhështor
Që nuk zgjon asnjë pakënaqësi
Ti bie herët në gjumë
I mbyll sytë që t'i lakmon muzgu
Erë e lehtë shtrihet mbi trupin tënd fluid
Ti po flen e dashur
Ti bie herët në gjumë
Aspak nuk ke frikë të flesh vetëm
Në këtë botë kaq të ndjeshme
Që gjithçka mund të pëlcasë
Nga pakujdesia e fjalëve
Ti po flen e dashur
Në këtë botë të ndjeshme
Mes nesh ajri dhe puthjet
Mes nesh një roje e përjetshme vigjilente...
Sonte në këtë dhomë je vetëm hije
E pakapshme si çdo hije, e tmerrshme.
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


