Poezi nga Salajdin Salihu
PIKTURA E ZEZË
Vogëlushi G., vizatoi një diell të buzëqeshur dhe qiellin blu. Përfundi
shënoi: "Perspektiva". Gjersa vizatonte një flutur, sakaq në dhomë, hyrën
babai dhe disa piktorë, miq të tij. Posa panë vizatimin filluan të
diskutojnë mes vete për shumë dobësi në vizatim.
- Nuk bën assesi që dielli të jetë i buzëqeshur, sepse kjo botë nuk është
aq e lumtur dhe optimiste, - tha piktori më i ri nga të gjithë dhe bëri
disa ndërhyrje në vizatimin e vogëlushit G. Dielli tashmë dukej i
vrenjtur.
- Të them të drejtën, - tha piktori tjetër- mua më pengon se pse në këtë
qiell blu nuk ka asnjë re. Mendoj, vazhdoi ai, që të vizatohen disa re.
Dhe ashtu bëri. Mbuloi diellin me re të bardha.
Piktori më i vjetër nga të tjerët, që posa kishte përfunduar së lexuari
gazetën, në faqet e së cilës kishte shumë lajme për ditët e zeza që duhej
të pasonin, u ngrit nga kolltuku i mbështjellë me lëkurë antilope dhe
filloi të përmirësonte edhe disa gabime të tjera në vizatim. Retë e bardha
i bëri të zeza, ndërsa ato pak rreze dielli u humbën pas ngjyrës së zezë,
ku, tashmë, nuk kishte as diell, as qiell blu, as flutur.
Babai, që mburej me talentin e birit të tij, dhe piktorët, pas ndërhyrjeve
në vizatimin e vogëlushit G., ia nisën një bisede të gjatë brenda asaj
dhome të ngushtë ku mungonte humori.
Vizatimi qëndronte i varur në mure me të gjitha përmirësimet që kishin
bërë piktorët, të çmuar nga kritika e artit figurativ dhe të dekoruar me
çmim për vepër jetësore. Ishte një fletë e zezë. Përfundi ishte vetëm
fjalia e shkruar me flomaster: "Perspektiva".
Vogëlushi G. rrinte i heshtur. Sytë i kishte të ngulitur te shishet me
ngjyrë të bardhë dhe blu. Dëshironte të ndërhynte në atë vizatim: të
mbulonte atë sfond të zi me bardhësi, pastaj sërish të vizatonte diellin e
buzëqeshur, që do të lëvizte në qiellin blu. Në atë hapësirë ku do të
dominonin ngjyra e bardhë dhe blu, mendonte të vizatonte flutura të
larmishme dhe zogj që mbartnin në sqep këngë me të cilën ushqenin
hapësirën dhe fëmijët e lumtur, bashkëmoshatarë të tij. Por, vogëlushi G.
nuk mund të bënte asnjë korrigjim, sepse aty ishin piktorët e njohur, që
në vend të verës pinin ngjyrën e bardhë dhe blu, me të cilat ai do të
përfundonte vizatimin e pagëzuar "Perpektiva".
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


