Poezi nga Salajdin Salihu
I NDEZ CIGARET REND SI ZHAK PREVERI
I ndez cigaret rend si Zhak Preveri
Ti nuk je në dhomën e zbrazur
Brenda më ngulfat vetmia
Dritaret kaherë i kam mbyllur
Dhe dyert ku mund të hyjë marria
Notoj nëpër tymin e vjellë në ajër
Në saksi vyshken lulet...
Ca gjethe të vdekura në një peisazh vjeshte
Era e kujtimeve i mbart
Si në poezitë e Zhak Preverit
Ca gjethe të lehta si një puthje në stacion
Ku të përcjell trishtimi dhe të pret
Siç i pret i burgosuri festat
Puthje të lehta si vdekja
Ndez cigaret rend si Zhak Preveri
Dhe nuk e rrëfej jetën time
Dhe nuk e rrëfej jetën time...
NGA I NJËJTI AUTOR:
"Vdes pas gjërave të imëta" (Poezi dhe tregime), "AZA - Sesoft" - Tetovë 1996
"Panteoni i utopisë" (Ese), Shkupi 1998
"Nata e parë e pushtimit" (Poezi dhe tregime), Klubi letrar 1999
"Gjurmë" (Ese), "Flaka" 2000
"Edhe ne dëshmojmë" (bashkëautor me Sh. Emërllahun dhe A. Selmanin, libër mbi masakrat në Kosovë), "Ditët e Naimit", 2001


