Një plak që fundoset ngadalë bashkë me ditët e numëruara të tij
Në një shtëpi të vjetër dy dhomëshe, me dritare
xhamat e të cilave nuk janë dhe aty ku të ftohtit depërton
në secilën vrimë të asaj shtëpie të mjerueshme,
jeton Plaku Jashar, që skamja duket se e ka shkatërruar. Ai është
njëri ndër njerëzit më të varfër në Sllatinë,
gruaja e të cilit vdiq para disa vitesh gjithashtu në mjerim total,
por edhe ikja e saj nuk ndryshoi asgjë në atë shtëpi. M’i
kanë ndalur edhe ndihmat thotë ai. I mbërthyer me shqetësimin
e një dite të gjatë ku fuqia humb në mbrëmje, ai plak
që duket më i shkatërruar se kurrë, fillon ta humb shikimin
dhe bashkë me të edhe shpresat sepse nuk mund ta durojë më
këtë gjendje.
Ku të drejtohet ai?
Ndoshta është një pyetje që ai i bën vetes do ditë
dhe që duket se ka filluar ta mend. Por kjo gjendje është thuajse
e patejkalueshme për atë njeri plak që frikohet të vijë
dimri. Këtu bën shumë ftohtë, thotë J… , ndoshta
më tepër se sa jashtë -e kishte fjalën brenda në dy
dhomat e asaj shtëpie që edhe fantazmat frikohen të rrinë.
Kur vera merr fund dhe kur shirat fillojnë të bien pandërprerë të shoqëruara me stuhitë e vjeshtës, në veshët e këtij plaku fillojnë të depërtojnë tinguj që ngjajnë me zërin e trishtueshëm të violinave. Gjithë ajo skamje dhe mjerim në këtë kohë moderne, që dikush tjetër as nuk e ndjen këtë përballje me ekzistencën - ata që bëjnë jetë luksoze. Plaku J... jeton ditët e vetmisë dhe të durimit, pa e ditur kurrë se kujt duhet ti drejtohet. Ai nuk njeh asnjë institucion, por çuditërisht durimi akoma e mban të qetë. Ai thotë se ndoshta është fatkeq për shkak të paaftësisë që ka lejuar të jetë në këtë gjendje fatale, por ai e kupton se është vetëm një i ekspozuar në turmën e njerëzve që varfëria ua ka vjedhur lumturin. Kur njeriu është i varfër, ai shndërrohet pa dashje në një njeri tjetër, thotë ai. Por çuditërisht njerëzit shpeshherë nuk tregohen aq bamirës ndaj tjetrit që duket se po fundoset si një titanik. Për këtë plak kur njeriu është i varfër , është njëkohësisht edhe i parëndësishëm, shpesh edhe i dëbuar. Atë shpesh e gjen në njërin nga kafenetë e fshatit, të ulur diku vetëm në një skaj të kafenesë, sikur të ishte ndonjë vend i rezervuar. Për disa që e shikojnë në at gjendje, pamja e tij krijon një melankoli të thellë, por për disa të tjerë ai është vetëm një objekt talljeje, ata e ngacmojnë dhe kënaqen kur ai del prej kontrolle. Megjithatë kurrë nuk u kuptua kush e nxori at prej kontrolle, njerëzit në at kafene apo dikush tjetër që të paktën nuk interesohet për këto fate njerëzish t’u jap pak ndihmë sa për të mos vdekur.
Shumica e njerëzve duken kaq mospërfillës ndaj tij, duke e dëbuar vazhdimisht me arsyetimet banale, se i njëjti njeri dikur paska shitur gjithë pasurinë e tij dhe tani po vuan goditjet e asaj kohe. Njëjtë si stinët që nuk e kuptojnë vetveten, edhe ky njeri është i ngjashëm, por edhe të tjerët nuk e kuptojnë sepse shumica prej tyre po i afrohen fatit të tij. Shumë njerëz kanë filluar të grinden mes vete, por është ajo që na grind të gjithëve pyet i habitur ky njeri që ka nevojë të ushqehet, sepse ai nuk mund të jetojë me përkëdhelje, as me premtime. Ai nuk u thur himn vendeve ku rrjedh mjalti dhe qumështi.
Askush nuk e kupton të tashmen e tij, ditët e brengave që janë më të thella se një det. Askush nuk i kupton trazimet e këtij plaku që është thinjur, që jeton në atë shtëpi dy dhomëshe të rregulluar, në një tunel vetmitar dhe verbues ku shpresat po fundosen ngadalë bashkë me ditët e numëruara të tij.
Urim SALIHU


